Lazim Destani pret në takim kryetarin Kasami, flasin për ndërtimin e stadiumit të ri të Tetovës
Filantropi shqiptar dhe njëherësh edhe pronari i kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani ka pritur sot në takim në ambientet e kompanisë, kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Destani ka njoftuar se me Kasamin, krahas projetit të staduimit të ri të Tetovës, i cili do të nis së ndërtuari shumë shpejt, kanë diskutuar edhe për mundësitë e tjera të bashpunimit mes kompanisë “Ecolog” dhe Komunës së Tetovës, transmeton Zeri.info.
“Sot këtu në Tetovë, në ambientet e kompanisë Ecolog, e prita për vizitë Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në këtë takim, krahas projektit të stadiumit të qytetit, ne diskutuam në përgjithësi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes kompanisë sonë dhe Komunës. Për sa i takon stadiumit të Tetovës, unë shpreh kënaqësinë që tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat formale, përfshirë dhe lejen e ndërtimit që është marrë këto ditë”, ka shkruar Destani.
Ai është shprehur i lumtur që erdhi momenti i shumëpritur i nisjes së ndërtimit të stadiumit të ri të Tetovës.
“Uroj punët ndërtimore të këtij projekti të shkojnë mbarë e mirë. Stadiumi i ri i Tetovës, si një vlerë e shtuar për qytetin tonë, është kurorëzim i punës dhe sakrificës së brezit të vjetër tetovar në shërbim të sportit, sport-dashësve dhe në mënyrë të veçantë, në shërbim të brezave të ardhshëm”, shtoi Destani. /Zëri