Rama: Urdhri Sovran Bektashi në Tiranë do krijohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare
Foto: Laura Hasani

Rama: Urdhri Sovran Bektashi në Tiranë do krijohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare

Aktuale September 25, 2024 - 17:36

Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku ka zgjedhur që të japë përgjigje për kritikat me të cilat u përball ideja e tij për krijimin e Urdhrit Sovran Bektashi.

Në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, kryeministri Rama tha se për krijimin e Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashido të shihen të gjitha aspektet legjislative.

“Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja”, tha Rama.

Pavarësisht se shumë aktorë të shoqërisë kanë dalë kundër, Rama thotë se ky projekt nuk ka asnjë pikëpyetje se mund të sjellë diçka jo të mirë për vendin.

“Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto. Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare. Kështu e shoh unë”, theksoi Rama.

Një arsye më shumë për kryeministrin është edhe fakti që komuniteti bektashi është një komunitet që e ka qendrën e vet botërore në Shqipëri.

“Prej kaq shumë vitesh sa unë jam në këtë vorbull publike, jam mësuar që kur them diçka të re ose kur flas për një projekt të ri, dëgjoj shumë çudira, po si këtë herë, asnjëherë. Këtë herë kam dëgjuar dhe kam lexuar çudira të jashtëzakonshme, por gjëja që më ka habitur më shumë është që çfarë padije e jashtëzakonshme ekziston për Urdhrin e Bektashinjve E dyta, thënë kjo për çfarë përfaqëson Urdhri i Bektashinjve në historinë tonë si pasuri historike e kulturore patjetër që ky është një nga katër komunitetet.

 Janë edhe tre komunitete të tjera. Është komuniteti musliman, është komuniteti i krishterë ortodoks dhe është komuniteti katolik. Tani çfarë i bashkon këto të treja dhe i ndan, po ta shikosh? Këto të treja janë pjesë e tre komuniteteve shumë të mëdha të shtrira në të gjithë dynjanë, ndërkohë ky tjetri është një “komunitet si jetim”, sepse është një komunitet që e ka qendrën e vet botërore në Shqipëri dhe këtë as e kam bërë unë, e ka. Atëherë këto të tre të tjerë kanë jetën e tyre, kanë hapësirën e tyre shumë të madhe, kanë rrugën e tyre të sigurt sepse kanë mundësinë të marrin mbështetjen nga të katër anët, siç e kanë marrë dhe siç e marrin dhe siç do e marrin dhe e kanë të ardhmen e garantuar apo jo”, tha Rama.