Doli e kopjuar, anulohet logoja e Kuvendit të Kosovës

Doli e kopjuar, anulohet logoja e Kuvendit të Kosovës

Aktuale September 25, 2024 - 16:55

Logoja e Kuvendit të Kosovës ka dal të jetë e ngjashme me një logo arabe.

Kuvendi sot ka njoftuar se do të zhvillojë procedurën e re për përzgjedhjen e logos, transmeton Zeri.info.

“Pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit dhe operatorit ekonomik fitues, është konstatuar se logoja e përzgjedhur ka ngjashmëri me logon e krahasuar, pavarësisht se nuk janë identike. Të dy palët u pajtuan që Kuvendi i Kosovës duhet të këtë logo e cila nuk ka ngjashmëri me asnjë logo tjetër”

“OE zyrtarisht u pajtua që të kthej mjetet financiare të pranuara nga Kuvendi, si dhe ka kërkuar që të kthej në pronësi të saj të drejtën e autorit të logos së propozuar”, thuhet në njofitmin e Kuvendit.

Njoftimi i plotë:

Rregullorja e Kuvendit parasheh që Kuvendi ta ketë logon e vet dhe se forma e saj miratohet nga Kryesia e Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit më 03.03.2023 ka nxjerr Vendimin Nr. 08-V-408 dhe ka ngarkuar Administratën e Kuvendit që të ndërmarrë veprimet në lidhje me zhvillimin e procedurave për formën e logos së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit për hapat që duhet ndërmarrë në lidhje me këtë çështje. Kjo procedurë nga Kuvendi është zhvilluar për herë të parë.

Administrata e Kuvendit ka planifikuar mjetet buxhetore për realizimin e aktivitetit të prokurimit me titull: Logoja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aktivitet ky i paraparë në Planin përfundimtar të prokurimit për vitin 2024. Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 12.02.2024 ka nxjerr vendimin për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit në pajtim me Ligjin për prokurimin publik dhe i ka përcaktuar Kriteret/Specifikat lidhur me dizajnimin e logos.

Bazuar në vendimet e lartpërmendura të Kryesisë së Kuvendit, Drejtoria për Prokurim, në pajtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), këtë aktivitetet të prokurimit e ka proceduar dhe e ka publikuar në e-Prokurim, Njoftimin për Konkurs Projektimi.

Duke pasur parasysh se LPP, sa i përket përbërjes se Jurisë profesionale, e cila bën vlerësimin e ofertave për logo, ka paraparë se anëtarët e jurisë duhet të posedojnë kualifikim të posaçëm profesional dhe së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të jurisë duhet të posedojnë këtë kualifikim ose barasvlerën e tij, në pajtim me ligjin, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional është kërkuar mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cili ka dhënë mbështetje përmes propozimit që në Jurinë Profesionale të caktohen dy profesionistë të fushës.

Juria Profesionale/Komisioni ka vlerësuar propozimet për logo nga aspekti përmbajtjesor në bazë të kritereve të thirrjes se hapur. Përfundimisht, sipas Jurisë/Komisionit ka rezultuar se vetëm pjesëmarrësi në Konkurs projektimi me shifrën 2525, i ka plotësuar pikët e kërkuara nga Autoriteti Kontraktues dhe ka qenë i përgjegjshëm në aspektin administrativ dhe profesional. Pas kalimit të afateve ligjore të pritjes për ankesa eventuale, Autoriteti Kontraktues/Kuvendi ka publikuar Njoftimin për Rezultatet e Konkursit të Projektimit Logoja e Kuvendit të Kosovës.

Më 05.07.2024 Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik fitues Ëave Partners, Prishtinë.

Komisioni/Juria profesionale ka përzgjedhur logon e Kuvendit, ndërsa sipas Rregullores se Kuvendit, autoriteti final i cili vendos për përdorimin e logos së Kuvendit është Kryesia e Kuvendit.

Pas njoftimit që kemi pranuar se ka pasur reagime nga persona të fushës së dizajnit apo mediatike, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 23.09.2024 e ka trajtuar çështjen e logos së Kuvendit dhe ka konstatuar se e njëjta nuk duhet të këtë ngjashmëri me ndonjë logo tjetër, pavarësisht se logoja e përzgjedhur nga Juria profesionale nuk ka qenë identike me logon më të cilën është krahasuar.

Ndërsa, pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit dhe operatorit ekonomik fitues, është konstatuar se logoja e përzgjedhur ka ngjashmëri me logon e krahasuar, pavarësisht se nuk janë identike. Të dy palët u pajtuan që Kuvendi i Kosovës duhet të këtë logo e cila nuk ka ngjashmëri me asnjë logo tjetër.

OE zyrtarisht u pajtua që të kthej mjetet financiare të pranuara nga Kuvendi, si dhe ka kërkuar që të kthej në pronësi të saj të drejtën e autorit të logos së propozuar.

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë procedurën e re për përzgjedhjen e logos së Kuvendit.