Konjufca pret ambasadoren e re të Holandës, vlerësohet lart bashkëpunimi mes dy shteteve

Konjufca pret ambasadoren e re të Holandës, vlerësohet lart bashkëpunimi mes dy shteteve

Aktuale September 25, 2024 - 15:31

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin Boven.

Konjufca e falënderoi ambasadoren për vizitën, duke e uruar për detyrën e re.

Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e Holandës ndaj Kosovës nëpër etapa të ndryshme, si dhe e vlerësoi mbështetjen e shtetit holandez ndaj vendit tonë që prek shumë sfera, duke përfshirë edhe atë të integrimeve.

Sipas tij, është tejet e nevojshme që kjo mbështetje të vazhdojë.

„Në takim u diskutuan edhe çështje të aktualitetit, ku kryetari Konjufca theksoi se mbështetja e Holandës është shumë e nevojshme dhe e mirëpritur në lidhje me sfidat e ndryshme që kemi përpara, përfshirë edhe ato të zhvillimit të mëtejshëm socio-ekonomik, të stabilitetit dhe ndërveprimit për lehtësimin e çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën. Bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin midis dy vendeve tona, si dhe u pajtuan për nevojën e thellimit të raporteve bilaterale në të gjitha fushat“, thuhet në komunikatë për media.

Ambasadorja Boven e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e saj të plotë të bashkëpunimit, të bazuar në interesat e përbashkëta dhe në vlerat evropiane, të cilat i ndajmë.

Ajo u shpreh se mbështetja e Holandës në drejtim të Kosovës do të vijojë edhe në të ardhmen. /Zëri