Rama mbron idenë e shtetit Bektashi, u përgjigjet zërave kundër: Erdhi koha të vihet në jetë
Foto: Laura Hasani

Rama mbron idenë e shtetit Bektashi, u përgjigjet zërave kundër: Erdhi koha të vihet në jetë

Aktuale September 25, 2024 - 08:52

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me reagimet dhe zërat kundër idesë së krijimit të një shteti Bektashi në Shqipëri.

Në një postim të gjatë në X, kreu i Qeverisë shqiptare thotë e ka ardhur koha që kjo ide të vihet në jetë, pasi sipas tij është në harmoni të plotë me interesin kombëtar.

Ai i fton kundërshtarët e kësaj ideje të njihen me faktet dhe kontributet historike të urdhrit “Bektashi” në punët e kombit e të fesë në Shqipëri.

Sipas Ramës, “nga ideja te jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”.

Më tej kryeministri thekson se “ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”.