Ibishi: Grupi terrorist s’ishte vetëm, kishte mbështetje direkte nga Serbia
Foto: Laura Hasani

Ibishi: Grupi terrorist s’ishte vetëm, kishte mbështetje direkte nga Serbia

Aktuale September 24, 2024 - 22:11

Një vit më parë një grup i armatosur i mbështetur nga Serbia kreu një sulm terrorist me ç ‘rast u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se ky grup terrorist nuk ishte i vetëm, por kishte mbështetje direkte nga Serbia përmes luftës hibride.

Ai vlerësoi se akti i agresionit ka ndodhur ndaj Kosovës dhe se ky operacion që zgjati rreth 14 orë dhe falë Policisë së Kosovës, ky grup terrorist u shpartallua.

Ibishi tha në RTK, se procesi gjyqësor për rastin e Banjskës do të jetë shumë i gjatë, për shkak se Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën.

“Serbia nuk e dorëzon kryeterroristin Millan Radoiçiq. Në Serbi ka regjim autokratik, nuk ka ndarje pushtetesh, dhe presidenti autokrat Vuçiq do të pengojë procesin. Përkundër fletarrestimeve të Interpolit për ekstradimin e tyre, mendoj se nuk do të ndodhë”, theksoi Ibishi.

Sipas tij, organizimi është bërë nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Kjo ka qenë e organizuar nga niveli politik, në krye me Vuçiqin, si dhe nga niveli funksional i sektorit të sigurisë, përfshirë forcat e armatosura, policinë dhe inteligjencën serbe,” deklaroi Ibishi.