Gërvalla: Kosova e Polonia me partneritet në siguri, mbrojtje dhe ekonomi

Gërvalla: Kosova e Polonia me partneritet në siguri, mbrojtje dhe ekonomi

Aktuale September 24, 2024 - 22:09

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar Ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radosëaw Sikorski, ku kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Polonisë pas mbajtjes disa javë më parë të Forumit Ekonomik në Poloni.

Po ashtu të dy homologet janë pajtuar që të rritet bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e sigurisë rajonale dhe integrimit euroatlantik.

Në njoftimin për media nga MPJD-ja, thuhet se gjatë takimit të mbajtur në margjinat e Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, u vunë në pah marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Polonisë, duke u përqendruar në përkushtimin e përbashkët të të dy vendeve ndaj vlerave evropiane, sigurisë dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Polonisë në proceset e integrimeve euroatlantike të Kosovës duke theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të mbështetur me të gjitha mjetet Ukrainën dhe qytetarët e saj në luftën kundër agresionit rus si dhe për të luftuar së bashku ndikimet e rrezikshme në rajonin tonë.

Duke vlerësuar lart hapjen për herë të parë të misionit të Republikës së Kosovës në Varshavë, Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Polonisë në përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit euroatlantik.