Armatime dhe konfiskime: Historiku i aksioneve policore në veri të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Armatime dhe konfiskime: Historiku i aksioneve policore në veri të Kosovës

Aktuale September 24, 2024 - 18:27

Më pak se tre vjet pas fundit të luftës në Kosovë, ushtarë të Misionit të NATO-s në vend (KFOR) dhe pjesëtarë të policisë së Kombeve të Bashkuara kanë konfiskuar një sasi armatimi në veriun e banuar me shumicë serbe.

Njëqind pushkë, 15 pistoleta, 40 granata, si dhe sasi e madhe eksplozivi dhe municioni...

Lista të ngjashme armatimi, si ky që është konfiskuar në shkurt të vitit 2002, janë publikuar disa herë ndër vite, pas aksioneve të ndryshme në atë zonë të Kosovës.

KFOR-i, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe së fundi Policia e Kosovës kanë njoftuar për aksione të tilla.

Policia e Kosovës, madje, ka ekspozuar armatimin e konfiskuar.

Këto aksione janë bërë më të shpeshta pas 24 shtatorit të vitit të kaluar.

Atë ditë, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Nga sulmi ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Pas sulmit, policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi.

Një pyetje drejtuar autoriteteve në Kosovë, pas këtij sulmi, ka mbetur pa përgjigje konkrete: Si po hyn ky armatim brenda territorit të Kosovës?

Dogana e Kosovës ka thënë se armatimi ka hyrë përmes “rrugëve malore”, por nuk ka dhënë më shumë detaje. Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është e pamundur që të kontrollohet vija kufitare me Serbinë “çdo minutë e çdo sekondë”.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare prej rreth 400 kilometrash. Mbi 60 për qind e asaj vije përfshin komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, shkruan REL.

Historiku i aksioneve policore

21 shkurt 2023 – Konfiskohen 6.300 municione në veri

Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë në kufirin në Joshanicë, në veri të Kosovës, kontrollon një veturë me targa të Serbisë të një shtetasi serb dhe gjen municion.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se gjatë aksionit u konfiskuan 6.300 municione të kontrabanduara nga Serbia.

23 qershor 2023 – Armatim në Zveçan

Një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit. Policia e Kosovës gjen aty sasi të madhe të armatimit, përfshirë mjete shpërthyese, municione, granatahedhës dore, armë autmatike e shok-bomba.

Ministri Sveçla thotë se, gjatë javëve paraprake, nga Serbia në Kosovë ishin futur vetura me armatime ushtarake.

Sipas drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, shumica e armatimeve janë prodhim i Serbisë. Pesëmbëdhjetë nga 21 granatat e konfiskuara ishin prodhim i vitit 2021.

14 gusht 2023 – Konfiskohen 1.200 fishekë në Rudine të Zveçanit

Gjatë një aksioni policor në fshatin Rudine të Zveçanit konfiskohen 1.200 fishekë nga Njësia e Policisë së Kosovës për Ndërhyrje të Shpejtë.

5 shtator 2023 – Sveçla: Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bën të ditur se janë zhvilluar bastisje në Zveçan, ku është gjetur sasi e madhe e armatimit, përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.

Ai shkroi në Facebook se “veriu po shkon hap pas hapi drejt normalitetit”, pas aksionit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

24 shtator 2023 – Sulmi në Banjskë

Rreshteri Afrim Bunjaku vritet gjatë një sulmi ndaj policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në Banjskë të Zveçanit. Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shtator, kreu i këtij grupi ka qenë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq , i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

25 shtator 2023 – Policia konfiskon armatim të rëndë

Pas sulmit në Banjskë, policia e Kosovës nisi operacionet në zonën përreth.

Si rezultat, u konfiskua një sasi e madhe e armatimit.

Aty u gjetën armë të kalibrit të lartë gulinov, mitralozë, snajperë, minahedhës, armë të gjata, granata dore etj.

14 tetor 2023 – Bastisje në shtatë lokacione

Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë...

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njofton se policia e Kosovës ka bastisur shtatë lokacione në veriun e banuar me shumicë serbe. Sipas tij, armatimi i gjetur në ato lokacione ishte i prodhimit të njëjtë me armët e konfiskuara në Banjskë.

25 dhjetor 2023 – Konfiskohet municion në veri

Policia e Kosovës bën të ditur se ka konfiskuar një numër të “pasjisjeve të rrezikshme” në lagjen multietnike në Mitrovicën e Veriut, për të cilat tha se rrezikonin që potencialisht të përdoreshin për sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Përveç telave gjemborë dhe bombave tymosëse, gjatë aksionit u konfiskua edhe armatim.

14 maj 2024 – Sërish konfiskohet armatim në Zveçan

Policia e Kosovës njofton se ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit: 1.500 municione, dhjetë armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë e uniforma të ushtrisë serbe.

Armët janë gjetur në afërsi të një ish-zytari të policisë së Kosovës në veri, i cili pastaj është arrestuar.

Ministri Sveçla thotë se kjo është depoja e pestë e armatimit e zbuluar gjatë këtij viti në veriun e Kosovës.

Sipas tij, ato armë janë “mbetje e armatimit të grupeve terroriste të udhëhequra nga Millan Radoiçiq, e të financuara, dirigjuara dhe mbështetura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

27 maj 2024 - REL identifikon armët e gjetura

Njësia e Forenzikës Digjitale e Radios Evropa e Lirë arrin t'i identifikojë llojet dhe prodhimin e disa prej armëve e municionit të gjetur, në bazë të detajeve nga fotografitë e publikuara.

Plumbat e ekspozuar në objektin e Drejtorisë Rajonale Policore - Mitrovicë Veri, janë prodhuar në vitin 1991 në fabrikën “Prvi Partizan” në Uzhicë të Serbisë. Ndërsa, baruti i tyre është prodhuar në vitin 1990 në fabrikën “Millan Bllagojeviq” në Luçan të Serbisë.

Ndërkohë, një tjetër lloj i plumbave të ekspozuar janë prodhuar edhe në fabrikën “Igman Zavod Kanjiq” në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1988.

Sa u përket armëve të gjata të konfiskuara, për atë lloj njihet kompania e armëve “Zastava” me lokacion në Kragujevc të Serbisë. E njëjta fabrikë ka prodhuar edhe një lloj të pushkës së konfiskuar.

14 qershor 2024 – Bastisen katër lokacione në veri dhe konfiskohet armatim

Katër lokacione, qindra armë e municione. Në një aksion tjetër policor në veri të Kosovës konfiskohen armë të gjata, fishekë, jelekë antiplumbë e shumë pajisje të tjera.

Autoritetet thanë se armatimi ishte fshehur nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile - grupit të shpallur organizatë terroriste nga Kosova - dhe pjesëtarë të grupit të armatosur, përgjegjës për sulmin në Bansjkë.

“Sërish armë, eksplozivë e municion i konfiskuar në veri të vendit dhe kjo falë vigjilencës së shtuar të institucioneve tona dhe vendosmërisë për asgjësimin e secilit element kriminal dhe tendencës destabilizuese që vjen nga Beogradi”, shkroi Sveçla në Facebook.