Familjarët e terroristëve të vrarë ndezin qirinj në Banjskë

Familjarët e terroristëve të vrarë ndezin qirinj në Banjskë

Aktuale September 24, 2024 - 14:56

Një vit pas konfliktit në Banjskë, situata në këtë fshat të komunës së Zveçanit është e qetë. Pothuajse nuk ka vendas në rrugë, por ka “shumë policë” në fshat, shkruajnë mediat në gjuhën serbe.

Familjarët e njërit prej tre terroristëve të vrarë kanë shkuar në këtë fshat për të ndezur qirinj në vendin ku u vranë.

“Familjarët e të vrarëve Stefan Nedeljkoviq ndezën qirinj dhe erdhën për të shënuar ‘një ditë të trishtë dhe një ngjarje të trishtë’”, tha babai i tij, Dragan Nedeljkoviq, raportojnë tutje mediat lokale nga atje.

Nedeljkoviqi tha se e ka blerë një kryq për ta shënjuar vendin ku djali i tij është vrarë, por, sipas tij, situata nuk e lejon tani dhe tha se “kur të vijë koha do ta bëj këtë”.

“Kam paguar një kryq që të vendoset këtu, por situata aktuale nuk e lejon. Kur të vijë koha, ne do ta vendosim atë shënues dhe do të jetë atje përgjithmonë, duke përshkruar vendin ku vdiq Stefani ynë. Epo, ka kaluar një vit, por çfarë do të bëjmë? Ne duhet të durojmë dhe duhet të jemi të fortë”, tha ai, sipas portalit në gjuhën serbe “Radio Kim”.

Nedeljkoviqi shtoi se ndezja e qirinjve sot është “spontane”.

“Nuk është vetëm sot, njerëzit vijnë gjatë gjithë kohës kur kanë kohë të ndezin një qiri. Mund ta shihni që është paksa e paarritshme. Kjo do të duhet të rregullohet në një kohë, për të bërë një rrugë”.

Dragan Nedeljkoviq ka thënë se “nuk ka pasur probleme” me Policinë e Kosovës.

“Jo, jo. Ata bënë punën e tyre, kaluam, askush nuk na pyeti asgjë. Nga ky këndvështrim, ka qenë korrekte, nuk mund të them asgjë ”, tha ai.

Në ndezjen e qirinjve kanë marrë pjesë edhe familjarët e të vrarëve Bojan Mijailoviq.

“Prindërit, babai, nëna dhe vëllai i Bojanit janë këtu me ne, por edhe sot e kësaj dite nuk e dinë se ku është vendi ku është vrarë djali i tyre, ndaj ju lutemi pyesni ndërkohë që të shohim se mund të ndihmojmë njerëzit, që të vijnë edhe ata” në atë vend dhe ndezi një qiri. “Po, ndoshta nesër, kur të vijë koha dhe të vendosin një pllakë, një shënues”, tha Dragan Nedeljkoviq.