Kurti: Kurrë s’e harrojmë sakrificën e heroit Afrim Bunjaku
Foto: Laura Hasani

Kurti: Kurrë s’e harrojmë sakrificën e heroit Afrim Bunjaku

Aktuale September 24, 2024 - 08:34

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se Kosova nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator të vitit të kaluar nga sulmi terrorist në Banjskë.

Kurti ka kujtuar se Qeveria në mbledhjen e mbajtur dje ka marrë vendim për emërimin e rrugës rajonale Ballaban – Banjskë me emrin e heroit Afrim Bunjaku, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i rrugës rajonale R-217, segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”. Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Mes vendimeve të tjera:

- Ndamë 219.000.00 € për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.

- Aprovuam katër rregullore:

• Rregulloren për Vlerësimin e Rezultateve në Punë;

• Rregulloren për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknik dhe Mbështetës;

• Rregulloren për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës;

• Rregulloren për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil.

- Emëruam kryesuesin e ri të Bordit të Postës së Kosovës dhe drejtorin ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.