Shoqëria civile në Beograd kërkon të zbatohen marrëveshjet e arritura

Shoqëria civile në Beograd kërkon të zbatohen marrëveshjet e arritura

Aktuale September 23, 2024 - 22:02

"Moszbatimi i marrëveshjeve ka ndikim negativ në jetën e qytetarëve". Kështu u tha gjatë një diskutimi të shoqërisë civile, ku morën pjesë serbë e shqiptarë në Beograd. Aty u theksua se në dialog duhet një fokus që lidhet me jetën e përditshme dhe të ardhmen e qytetarëve.

“Është e nevojshme të zbatohet ajo që është rënë dakord, të rikthehet besimi dhe të ofrohet mbështetje për iniciativa që do t'i lehtësonin tensionet në Kosovë dhe në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë”. Kjo u vlerësua në një konference mbi dialogun e Brukselit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile theksuan se situata aktuale, pa rezultate në dialog, ka një ndikim negativ në jetët e njerëzve.

“Nuk është e mundur të vazhdohet dialogu sikur të mos ekzistojë situata aktuale, e cila është rezultat i mungesës së besimit të aktorëve gjatë gjithë procesit. Kosova nuk i beson Serbisë as BE-së, Serbia nuk i beson Kosovës as BE-së, dhe BE-ja nuk i beson as Kosovës as Serbisë. Në një situatë të tillë, është e nevojshme të gjenden dhe ndërmerren hapa që do ta rikthejnë besimin në proces, në mënyrë që të vazhdojë zbatimi i marrëveshjeve të arritura midis dy qeverive dhe BE-së”, tha Ilir Deda, aktivist i shoqërisë civile.

Duke analizuar pengesat dhe përparësitë e dialogut, shoqëria civile konsideron se ngecjet në dialog vijnë nga vizionet e ndryshme të Beogradit dhe të Prishtinës.

Dragisha Mijaçiq nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, vlerësoi se nuk do të ketë negociata të reja për zgjidhje të reja.

“Në të ardhmen mund të shohim vetëm negociata për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Nuk do të ketë marrëveshje të reja apo dialog. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është një kusht i vendosur nga komuniteti ndërkombëtar për të nisur disa procese të integrimit rajonal dhe evropian. Në këtë format, mund të shohim të gjitha zhvillimet e ardhshme në dialog”, tha Mijaçiq.

Ekspertet theksuan se ne dialog duhet një fokus që lidhet me jetën e përditshme dhe të ardhmen, sepse sipas tyre, nëse njëra palë nuk përparon, është e vështirë që pala tjetër të ketë progres. /rtk