“Mashtrimet nëpërmjet internetit”, Policia apelon qytetarët për kujdes
Foto: Ilustrim

“Mashtrimet nëpërmjet internetit”, Policia apelon qytetarët për kujdes

Aktuale September 23, 2024 - 14:59

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se ka një rritje të numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit.

Përmes një njoftimi publik, thuhet se vetëm kohëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të mashtrimit të kësaj natyre, në të cilat raste qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave.

Njëherësh, kanë bërë të ditur se tashmë po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme, duke përfshirë edhe identifikimin dhe kapjen e autorëve për rastet e lartcekura.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ngre shqetësimin se ka një rritje të numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit, ku kohëve të fundit kemi të raportuar gjashtë raste të mashtrimit të kësaj natyre, në të cilat raste qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave. Me këtë rast informon qytetarët dhe subjektet private se nga Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme, por edhe identifikimin dhe kapjen e autorëve për rastet e ndodhura”, thuhet në postimin e Policisë.

Tuje, Policia ka bërë apel te qytetarët, subjektet afariste që të bëjnë kujdes sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale bankare.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren bën apel te qytetarët, subjektet afariste të bëjnë kujdes sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme, por edhe kur merrni kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodheni duke kërkuar në internet të mos bini pre nga mashtrime të ndryshme, të cilat kanë qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve tuaja nga llogari bankare dhe formave të tjera. Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi nëse llogaria i përket vërtet personit tek i cili dëshironi të bëhet destinimi”, thuhet tutje në njoftim.

Ndër të tjera, Policia ka bërë të ditur se duhet të kenë kujdes edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë personale në rrjetet sociale.