Lutfiu: Protestat do të kenë efekt, nuk do të ndalen

Lutfiu: Protestat do të kenë efekt, nuk do të ndalen

Aktuale September 23, 2024 - 13:50

Me moton “Për identitet dhe dinjitet”, ka nisur protesta e shqiptarëve në Preshevë. Shqiptarët në Luginë po protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia.

Protestuesit po kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova.

Kryetari i Këshillit Nacional, Nevzad Lutfiu, i ka thënë RTK-së se duke pasur parasysh se diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptuarve i ka prekur kufijtë e racizmit dhe konstruktiviteti nuk është ana e cila po kryen punë sa i përket të drejtave të shqiptarëve, atëherë është zgjedhur protesta.

“Protestat do të vazhdojnë, ndërkohë janë kërkesat e njëjta. Ndalja e menjëhershme e pasivizimit të adresave tendencë e hapur për spastrim etnik, njohja e diplomave të të gjithë të rinjve të Preshevës të cilët i kanë përfunduar studimet në Kosovë, punësimi i kuadrove në institucionet shtetërore dhe një varg të drejtash të cilat na mohohen si komunitet shqiptar”, tha ai.

Lutfiu është shprehur i bindur që këto protestat do të kenë efekt dhe se nuk do të ndalen derisa këto të drejta të zgjidhen.

Kjo është protesta e dytë, pas asaj e cila u mbajt më 12 gusht.