Vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës
Foto: Laura Hasani

Vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Aktuale September 23, 2024 - 11:38

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

“Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org, ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit:

1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

2. Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë;

3. Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

Informacionet më të detajuara janë publikuar në uebfaqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Votuesit > Votimi jashtë Kosovës, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, thuhet në njoftim.