Dëshmitari Krasniqi: Porosia e miqve dhe shokëve ishte t’i përshëndes krerët e UÇK-së, ZPS-ja interesohet se kush janë ata

Dëshmitari Krasniqi: Porosia e miqve dhe shokëve ishte t’i përshëndes krerët e UÇK-së, ZPS-ja interesohet se kush janë ata

Aktuale September 23, 2024 - 11:03

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmu si ish-UÇK-së kam pas shumë mysafir, me kanë përcjellë shumë veteran e në mesin e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a muna ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.

Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyrë. Dëshmitari tha që ata që e përcjellën për të ardhë në Hagë.

Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.

“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.

“E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë u vonojsha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për me kanë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepshin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vanu e nuk është ardh me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka “Demush Laci” për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.

Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme, por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Fillon dëshminë Demush Krasniqi, ZPS-ja: Ishte i pranishëm kur u liruan Cen Desku dhe Jakup Kastrati

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, i njëjti kishte qenë i pranishëm kur ishin liruar Cen Desku dhe Jakup Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 03885 u kyç në njësitin Lumi në Balincë të Malishevës rreth majit të 1998-ës. Më pas, shërbeu si anëtar i Policisë Ushtarake në Brigadën 122 përfshirë edhe Zonën e Dragobillës. Dëshmitari 03885 ka qenë në Dragobillë me Fehmi Kryeziun dhe Skënder Hotin kur një veturë me shenja të UÇK-së mbërriti me dy ushtar që u prezantuan si pjesëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe i kërkuan dëshmitarit 03885 dhe të tjerëve të shkonin dhe të thërrisnin dy persona që të merrnin pjesë në një mbledhje me OSBE-në. Dëshmitari 03885 dhe të tjerët morën Jakup Kastratin dhe Cen Deskun nga një takim dhe i shoqëruan tek vetura. Kastrati dhe Desku hyn në veturë. Një veturë tjetër u shfaq më pas dhe të dyja veturat u larguan së bashku. Dëshmitari 03885 ka qenë i pranishëm kur Kastrati, Desku dhe të tjerët u liruan rreth një muaj pasi i kishin marrë prej Dragobillës”, tha prokurori.

Tutje, prokurori tha se Krasniqi do të jep dëshmi edhe sa i takon rolit të tij në UÇK, vijave të raportimit të njësive të UÇK-së etj.

“Dëshmitari 03885 po ashtu jep informata sa i takon rolit të tij dhe të tjerëve në UÇK si dhe konstruktuarës, veprimtarive, kompetencave dhe Zonave të Përgjegjësisë dhe vijave të raportimit të njësive të UÇK-së përfshirë njësitin Lumi, Brigadën 121 dhe 122 si dhe njësitë e Policisë Ushtarake të UÇK-së”, tha prokurori.

“I qëndroj mbrapa”, tha dëshmitari kur u pyet se deklaratat që ka dhënë për Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe ZPS-në a pasqyrojnë realitetin.

Tutje, dëshmitarit iu tha se në deklaratën për Prokurorinë kishte thënë se kur u kyç në Policinë Ushtarake ia dhanë një mantel të zezë me një emblemë.

Ai pohoi se iu ishte dhënë një kartelë që tregonte se ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas kësaj, iu prezantua nja fotografi për të cilën dëshmitari tha se ngjasonte me kartelën që ai e kishte.

Në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për autoritetet e hetuesisë.

Para se të fillojë dëshminë e tij, Demush Krasniqi kërkoi nga gjyqtari fjalën duke thënë se dëshiron që të prezantoj një rregull të familjes se tij.

“Dua të ua prezantoj një rregull të familjes sime a bën?. Ngjarje familjare…”, tha dëshmitari.

Për këtë, kryegjyqtari Charles Smith III tha se nuk ka kundërshtime por ta bëjë këtë gjë pasi t’i përfundojë prokuroria pyetjet e tyre.

“Nuk kemi kundërshtime, por të mbarojë Prokuroria me pyetjet dhe pasi të përfundojë prokurori mund ta bëni deklaratën tuaj”, tha kryegjyqtari.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjas rreth gjysmë dite e që nga kjo kohë, gjysmë ore i ka kërkuar Prokuroria për pyetjet e veta. Ndërsa, mbrojtja ka parashtruar se i duhen rreth dy orë e 30 minuta për kundërpyetje.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se ka ndryshime në orarin e seancës të se enjtes. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë vetëm për një orë duke filluar nga ora 13:00 deri në orën 14:00 e që seanca e pas pushimit do të zgjasë vetëm deri në orën 15:00.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezentë në sallën e gjyqit, përveç Hashim Thaçit, i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.