Konfliktet në botë, Osmani e Rama pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Udhëheqës nga mbarë bota, liderë të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, do të marrin pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që fillon punimet këtë të diel në New York.
Në mesin e liderëve do të jenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, sesioni i OKB-së në New York, do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josef Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.
“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”- është shprehur sekretari Guterres.