Zgjedhjet parlamentare 2025, çfarë duhet të dinë qytetarët dhe diaspora?
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet parlamentare 2025, çfarë duhet të dinë qytetarët dhe diaspora?

Aktuale September 22, 2024 - 09:42

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka pohuar se tashmë shumë nga aktivitetet zgjedhore kanë filluar.

Ai ka pohuar se po vazhdon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe 120 ditore (29 gusht – 26 dhjetor 2024), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së”, ka potencuar ai.

Elezi po ashtu bëri të ditur se më 1 shtator ka filluar periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, e cila do të përfundojë më 11 dhjetor 2024.

Gjithashtu, Elezi njoftoi se po vazhdon periudha për ndërrimin e qendrës së votimit.

“Është duke vazhduar edhe periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjatë kësaj periudhe e cila përfundon më 26 dhjetor 2024, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre. Parashtrimi i kërkesës për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës mund të bëhet përmes platformës së vendosur në ueb faqen e KQZ-së apo në vegzën direkte http://qv.kqz-ks.org. Ndërrimi i Qendrës së Votimit është i mundur edhe duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse”, pohoi Elezi në një deklaratë për Telegrafin.

Zëdhënësi i KQZ-së, theksoi se po vazhdon edhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, e cila do të përfundojë më 28 dhjetor 2024.

“Në kuadër të përgatitjeve të procesit zgjedhore, së fundmi, KQZ ka emëruar edhe anëtarët e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve si dhe ka caktuar Qendrat Komunale të Numërimit”, shtoi tutje ai.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.

Ndërkaq, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pritet të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për vitet e ardhshme, duke qenë një moment i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shtetit.

Image