Marrëveshja SHBA-Serbi për energji, DASH: Kemi ndihmuar edhe Kosovën, diversifikimi i burimeve është në interes të të gjithë rajonit
Një prej synimeve strategjike të SHBA-së në raport me Ballkanin Perëndimor është pavarësimi i këtij rajoni në fushën e energjetikës dhe kundërshtimi i përpjekjes së Rusisë për ndikim në këtë pjesë të rajonit përmes kapaciteteve të saj energjetike.
Me qëllim të arritjes se këtij synimi strategjik, SHBA ditë më parë ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë me Serbinë. Nënshkrimet në marrëveshje janë vendosur më 18 shtator nga Nënsekretari për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernandez dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë për Gazetën Express, se kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane që të investojnë në sektorin e energjisë në Serbi.
Ky zëdhënës ka thënë se marrëveshja e arritur me Serbinë s’i bën dëm interesave të asnjë vendi të rajonit dhe se SHBA beson që është në interes të secilit vend të rajonit që të diversifikojë burimet e energjisë dhe t’i zgjerojë ato.
“Kjo marrëveshje nuk dëmton interesat e asnjë vendi tjetër në rajon. Përkundrazi, ne besojmë se është në interes të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të diversifikojnë dhe zgjerojnë burimet e tyre të energjisë.”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Gazetën Express.
Lidhur me pyetjen nëse pritet ndonjë marrëveshje e ngjashme me Kosovën, ky zëdhënës i DASH kanë thënë se përkrahja e gjatë dhe e palëkundur e SHBA-së për Kosovën, përfshin bashkëpunimin për të zhvilluar burimet e gjelbra të energjisë, duke përmendur ndihmën përmes USAID-it dhe MCC-së për zhbllokimin e fondit prej 236 milionë dollarëve për projektin e madh të baterive në rajon.
“Mbështetja jonë e gjatë dhe e palëkundur për Kosovën, përfshinë bashkëpunimin që Kosova të zhvillojë burimet e saj të gjelbra të energjisë, për shembull, përmes ndihmës së USAID-it për ankandin e parë të energjisë solare të Kosovës, dhe në prill 2024 MCC dhe Kompaktit të Qeverisë së Kosovës, që zhbllokoi grantin prej 236 milionësh për financimin e prokurimit të hapësirës më të madhe në rajon me bateri ruajtse”, ka përfunduar ky zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Gazetën Express.
SHBA në vazhdimësi ka përkrahur rajonin për pavarësim energjetik dhe diversifikim të burigjemve të energjisë. Kosovës vite më parë i ishte ofruar mbështetje për projektin e gazit përmes MCC, megjithatë ky projekt s’kishte gjetur dritën e realizimit për shkak të refuzimit nga Kosova dhe është zëvendësuar me një projekt të madh të baterive që e ruajnë energjinë elektrike, i mbështetur poashtu nga amerikanët.
Projekti i gazsjellësit ndërlidhej edhe me synimet globale të dekarbonizimit deri në vitin 2050.