Rama: Jemi mësuar keq vetëm me vetura, qytetarët duhet të ecin, për këtë po ndërtojmë sheshe si ai i “Xhorxh Bush”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka sqaruar se projekti për sheshin “Xhorxh Bush” nuk është anuluar dhe se i njejti do të vazhdoj pas shqyrtimit të ankesave ashtu siç e përcakton ligji.
Rama në një intervistë për “Zërin” ka thënë se projekte si ai i sheshit “Xhorxh Bush”, mundësojnë që qytetarë të kenë hapësira të mrekullueshme për të ecur, pa pasur nevojë të përdorin makina, pasi siç ka thënë ai, kjo është një mënyrë më e shëndetshme e jetesës në qytete.
“Nuk është anuluar, janë dezinformata dashakeqe, projekti është i mrekullueshëm . E kemi një hapësirë fenomenale nga sheshi “Nënë Terezë” nëpër “Zahir Pajazit” dhe tani sheshi “Xhorxh Bush” do të jetë një hapësirë të mrekullueshme, një teatër publik për evente të ndryshme, por edhe zona të mëdha me një mundësi tjetër alternative, për të ec dhe për të shijuar jetën e kryeqytetit. Ne tashmë e kemi hapur sheshin ‘Xhorxh Bush” po ka evente, qytetarët po ecin aty dhe është një mënyrë edhe më e shëndetshme se qysh me jetu jetën në qytet, sepse ne jemi mësuar për fat të keq vetëm me makina dhe aty krijohet një tollovi e panevojshme dhe një vetmi, sepse po vetmohemi në makina. Kur krijojmë hapësira të dizajnuara mirë, do të ketë njerëz më të shëndetshëm më të lumtur dhe më të sigurt”, ka thënë Rama për “Zeri.info.