Rama në Konferencën e dytë për Investitorë: Interesim i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror
Foto: Laura Hasani

Rama në Konferencën e dytë për Investitorë: Interesim i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror

Aktuale September 20, 2024 - 11:39

Komuna e Prishtinës ka organizuar të premten konferencën e dytë për investitorë “Prishtina 2030”, ku u prezantuan projekte infrastrukturore për transformimin e kryeqytetit.

E për ta bërë këtë transformim niveli lokal kërkoi mbështetje edhe të nivelit qendror, pasi interesimi i investitorëve është i madh.

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se prezantimi i projekteve të transformimit janë të nevojshme dhe ka pasur interes të madh të investitorëve vendor dhe të huaj.

Po ashtu, për të gjitha këto projekte të mëdha, Rama tha se do të duhet edhe mbështetje nga niveli qendror për të mirën e qytetarëve.

“Është një ditë monumentale për kryeqytetin. Para nëntë muajve kemi pasur konferencën e parë, ku kryeqyteti ka prezantuar projektet e transformimit, të cilat janë të nevojshme. Kemi pasur shumë interes të investitorëve vendorë dhe nga jashtë, të cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre. Kemi dashur të gjitha këto projektpropozime të prezantohen sa më mirë. Kemi arritur me tërheq vëmendjen dhe me ngrit një besim që në kryeqytet po ndodhin gjëra të mira të mëdha dhe transformuese. Prandaj kjo tërheqje e investitorëve ka qenë edhe një qëllim e të gjithave qeverive të mëparshme dhe kjo tregon një siguri në vendin tonë për të ardhmen tonë. Transformimi i kryeqytetit është një punë e madhe dhe jo e lehtë, kam shpall vizionin tim për kryeqytet dhe bashkë me juve po e realizojmë transformimin e kryeqytetit”, u shpreh Rama, teksa përmendi disa nga projektet infrastrukturore që pritet të ndodhin.

“Një prej projekteve më të mëdha është rruga ‘Xhim Xhema’ ose ‘Rruga A’, që tashmë po bëhet realitet. Po ashtu projekt i madh është vazhdimi i sheshit ‘Nëna Tereza’, ‘Zahir Pajaziti’ deri në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Po ashtu po ndërtojmë shkolla të reja, kemi projekte të reja, por të gjitha këto nuk mjaftojnë, sepse edhe investitorët kanë dëshirë me jetu në kryeqytet, vijnë e zgjedhin Prishtinën si vend unik. Duhet edhe ndihma e nivelit qendror në mbështetje sepse ka nevojë investimet janë multimilionëshe dhe nuk i mbulon buxheti i tanishëm”, deklaroi Rama.

Drejtori i BERZH-it në Kosovë, Sergey Maslichenko, tha se gjatë kohës që është në vendin tonë ka investuar 50 milionë euro.

Po ashtu ai njoftoi se ka porositur 30 autobusë elektrikë në kryeqytet, të cilët vijnë vitin e ardhshëm.

“Ne po bëjmë shumë për Kosovën dhe për kryeqytetin e Prishtinës, kemi 50 milionë euro të investuara, por mund të bëjmë edhe më shumë. Prishtina është pjesë e një qyteti të gjelbër dhe ne i përkrahim këto projekte në gjithë botën. Ne dëshirojmë të bëjmë shumë kemi porositur 30 autobusë elektrikë dhe shpresojmë që vitin tjetër do të vijnë. Ne jemi duke bërë një program për të çliruar pak kryeqytetin. Ne gjithashtu e kemi përkrahur kryeqytetin sa i përket që të kemi edhe izolimin e ndërtesave publike kemi një projekt disa milionësh, dëshirojmë që të vazhdojmë edhe më tutje më projekte në të ardhmen. Një prej projekteve është Unaza e Prishtinës, BERZH-i ka investuar afër 1 milion euro, ky projekt është i nevojshëm. Në Kosovë i duhet në të ardhmen që të mbyllin ndotësit e ajrit, por mund të bëjmë më shumë. Pika kyçe për të sjellë investitorë të rinj është përmirësimi i infrastrukturës”, tha Maslichenko.