Prokuroria Speciale interviston Dejona Mihalin
Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale.
Gazeta Nacionale ka siguruar pamjet, derisa Mihali është futur në Prokurori për t’u intervistuar.
Nga burimet e saj, gazeta merr vesh se ajo do të intervistohet për dy raste të veprave të korrupsionit të nivelit të lartë.
Behët fjalë për rastet ku janë përfshirë zyrtarët e lartë të partisë në pushtet.
Mihali do të intervistohet nga Prokuroria për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi dhe kryeshefin e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka.
Të dy personat në fjalë vitin e kaluar janë arrestuar dhe kanë qëndruar në paraburgim si të dyshuar për korrupsion.
Të dy rastet janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i autoritetit ose pozitës zyrtare”.
Dyshimet kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave të Bllokut A5.
Kodi Penal i Kosovës këtë vepër e sanksionon me dënim prej 1 deri në 8 vjet burgim.
Prokuroria kishte treguar se për çka dyshohet Fatmir Mujka.
“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa më datë 03.07.2023 ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me Nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, ishte thënë në njoftimin e Prokurorisë.