Komuna e Drenasit jep në shfrytëzim 51 prona komunale
Komuna e Drenasit, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ka dhënë 51 prona komunale në shfrytëzim.
Këtë vendim e kanë kundërshtuar partitë opozitare në Drenas, ndërsa kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka thënë se zhvillimin e Komunës nuk mund të ndalojë askush, transmeton Zeri.info.
Shkrimi i plotë i Lladrovcit:
Në Seancën e jashtëzakonshme, nga 13 pikat e rendit të ditës, pika e tretë zgjoi interesim të madh të opozita, e cila ende heziton ta votojë listën paraprake të pronave për dhënien në shfrytëzim.
Pas një debati, propozimi i Milaim Hajdarit u aprovua njëzëri që nga 54 pronat e propozuara në Listë, tri të mënjanohen.
51 pronat e tjera në Listën paraprake të pronave për dhënien në shfrytëzim u miratuan me 17 vota pro. Se kush është mbrojtës i pronës publike dhe si shtohet vlera e pronës, këtë e dinë qytetarët e komunës së Drenasit, me disa shembuj, si ai te hekurudha, në Arllat etj.
Opozita ka të drejtën e kësaj bote për ta kundërshtuar çdo propozim tonin, por, zhvillimi i komunës, investimet, bizneset me vende të reja pune, janë të mirëseardhura në Komunën e Drenasit dhe askush nuk mund t'i ndalojë.
Premtimi im për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve, nuk njeh pengesa. Falënderoj të gjithë asamblistët e pranishëm në mbledhje, e në veçanti falënderoj opozitarët që votuan pro dhe asamblistin më të ri të Grupit tonë Parlamentar, Selman Qallapakun.
Faleminderit, Drenasi ka perspektivë, Drenasi është zemra e Kosovës!