Kurti në drekën e punës me Der Leyenin kërkoi heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës Albin Kurti udhëtoi sot për në Bruksel, ku mori pjesë në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti fillimisht uroi Von der Leyenin për rizgjedhjen e saj si presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta, të hiqen”.
“Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes”, thuhet në komunikatën nga Qeveria.
Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.
“Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale”, thuhet në komunikatë. /Zëri