Rama prezanton projektet në Konferencën e dytë për Investitorë: Zhvillime të mëdha për kryeqytetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se një numër i madh i investitorëve janë interesuar të investojnë në kryeqytet.
Në prezantimin e programit të konferencës së dytë të investitorëve “Prishtina 2030”, Rama ka thënë se investitorët janë seriozë, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Prishtinës ka deklaruar se nga këto projekte do të përfitojnë të gjithë qytetarët, teksa u shpreh se nga investimet nuk do të preket asnjë cent i Komunës.
“Një numër i madh i investitorëve kanë shprehur interes serioz për të investuar në kryeqytet. Të gjitha këto investime janë transformuese që kanë shkuar në proces transparent, kemi pasur një numër të madh të bizneseve që janë interesuar, si dhe u jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të investitorëve, projektet kryesore janë te ndërlidhura me kryeqytetin”.
“E kemi projektin e ‘Rrethit të Flamurit’, projekti tjetër është Stacioni i Autobusëve, për një stacion të ri. Parku i ri i cili e ndërlidh lagjen ‘Dardania’ me ‘Kalabrinë’ dhe kjo do t’i ndërlidhë 90 mijë qytetarë për kalim dhe është projekt madhor. Tregu i Vjetër dhe projekti është serioz dhe lidhet me parkingun nëntokësor dhe të gjitha këto projekte janë të avancuara nga arkitekt serioz dhe në aspektin financiar i kanë fondet të sigurta. Janë projekte që përputhen me standardet më të larta të qëndrueshmërisë. Të gjitha këto përfitime të qytetareve do të bëhen pa e përdorur asnjë cent të Komunës”, theksoi Rama.