Duda Balje: Termi “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, shkelje e Ligjit të Familjes
Deputetja Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, ka thënë se termi ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’, e përdorur në një dokument të unifikuar dhe i shpërndarë për prindërit nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë është shkelje e ligjit të familjes.
Ajo ka thënë se familja në Kosovë është e rregulluar me ligj dhe se askush s’ka të drejtë të bëjë definimin e saj.
“Shkelje e ligjit sepse na kemi ligj për familjen, kod për familjen dhe nuk e besoj se askush prej nivelit lokal aq më pak menaxhmenti i shkollës ka pas të drejtë këtë me bë”, ka thënë Balje në Tëvë 1.
Balje ka thënë se nga biseda që ka zhvilluar me drejtoreshën e kësaj shkolle ka kuptuar se një dokument i tillë është shpërndarë nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë edhe në shkollat tjera.
“Ata kanë thënë se është unifikim i dokumentit dhe është shpërndarë nga DKA e Prishtinës në të gjitha shkollat. Askush në Kosovë nuk ka të drejtë me definu familjen, sepse ajo është e definuar me ligj”, tha ajo.
Balje ka përmendur edhe një shembull se nëse një çift shkon dhe e regjistron fëmijën në shkollë, kush duhet të jetë prindi 1 dhe kush 2 dhe pse.
“Nuk po dua me u identiku me numër, unë jam nëna”, tha ajo.
Për këtë dokument i cili ngjalli reagime ka reaguar edhe shkolla “Elena Gjika”.
“Kjo draft-marrëveshje është hartuar nga grupe punuese të shkollave gjatë vitit 2023 dhe është në harmoni me praktikat evropiane për nënshkrim nga dy prindërit. Është vërejtur se disa prindër e kanë ndërlidhur me procese të tjera, për çka shkolla nuk ka pasur këtë qëllim. Për shkollën është e rëndësishme që dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues i bashkëpunimit e ndarjes së përgjegjësisë në të mirë të fëmijëve. Ne ndajmë keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm që kjo situatë mund të ketë shkaktuar”, u tha në një postim nga drejtoria e kësaj shkolle.
Edhe nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës e kanë quajtur një emërtim të tillë si keqkuptim.
“Ka pasur keqkuptime, ku disa prindër e kanë ndërlidhur këtë marrëveshje me procese të tjera, të cilat nuk janë objekt i këtij dokumenti. Për DKA, është thelbësore që të dy prindërit të jenë të angazhuar dhe të kontribuojnë në mënyrë të barabartë në procesin arsimor”, thuhet nga DKA.