Në Prizren shënohet 25-vjetori i themelimit dhe funksionimit të Komunës

Në Prizren shënohet 25-vjetori i themelimit dhe funksionimit të Komunës

Aktuale September 18, 2024 - 19:08

Në prani të veprimtarëve e zyrtarëve, të mërkurën, në sallën e Kuvendit të Komunës është shënuar 25-vjetori i themelimit dhe funksionimit të Komunës së parë në Kosovën e lirë, përkatësisht Komunës së Prizrenit.

Në këtë takim ceremonial janë përkujtuar arritjet e kësaj komune gjatë këtij çerek shekulli.

Image

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Berisha-Bytyqi, ka shprehur mirënjohje për secilin veprimtar e zyrtar, për angazhimin e tyre në ndërtimin e institucioneve të lira të pushtetit lokal, raporton Telegrafi.

“Organizime sikurse ky i sotmi na kthejnë në periudhën e fillesave të ndërtimit të institucioneve përkatësisht fillimin e punës së Komunës së Prizrenit dhe na bën të vlerësojmë të arriturat e deritanishme, të cilat na japin shtysë edhe vullnet që të gjithë të punojmë sa më shumë për zhvillimin e mëtejshëm”, ka thënë ajo.

Kryetari i parë i Komunës së Prizrenit në Kosovën e lirë, Kadri Kryeziu, ka theksuar se konsolidimi i kësaj komune ka nisur me 15 qershor 1999, në një situatë emergjente me shumë sfida.

“Vendimi i parë i qeverisë së atëhershme të përkohshme ka qenë ringritja e ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit. Kemi filluar me 4 nëntor e me 28 nëntor e kemi ngritur flamurin kuq e zi”, ka thënë ai, për të listuar më pas edhe vendimet tjera të kohës.

Image

Ish-drejtuesi i Departamentit të Marrëdhënieve Publike dhe Administrimit Civil në Shtabin e Përgjithshëm të UCK-së, Ramë Buja ka bërë të ditur se komuna e parë e zyrtarizuar pas lufte ka qenë Komuna e Prizrenit, raporton Telegrafi.

“Ju e dini se me sa entuziazëm e kemi bërë hapin elementar për emërimin e kryetarëve të gjitha komunave të atëhershme të Kosovës, por i pari prej të emëruarve zyrtarisht nga një Departament i Marrëdhënieve Publike dhe Administrimit Civil, të cilin e kam udhëhequr atëherë në Shtabin e Përgjithshëm, që u shndërrua në Ministri të Pushtetit Lokal dhe pastaj komuna e parë e zyrtarizuar pas çlirimit ishte Komuna e Prizrenit, sepse Prizreni ka shumë gjurmë dhe shumë emër, ku kujtojmë Lidhjen e Prizrenit”, ka deklaruar Buja.

Në fund të ceremonisë, ish-kryetari Kryeziu ka ndarë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të pushtetit lokal. /Telegrafi/

Image