Ministri Krasniqi thotë se Ura e Ibrit do të hapet, por jo edhe se kur
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili është një nga ministrat që viziton rregullisht Veriun e Kosovës bashkë me ministrin Xhelal Sveçla, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka folur për çështjen e Urës së Ibrit.
Ndonëse ka pasur reagime të ashpra të ndërkombëtarëve, Krasniqi ka thënë se secili veprim rreth Urës është bërë me koordinim me ndërkombëtarët.
Ai ka thënë se s’ka asnjë arsye që Ura e Ibrit të vazhdojë të jetë e mbyllur për vetura, megjithatë i pyetur se kur do të hapet, s’ka treguar.
“S’ka asnjë arsye që ura të vazhdojë të mbetet e mbyllur. Në të gjitha diskutimet, qoftë me serbët, qoftë me faktorët ndërkombëtarë, s’ka asnjë argument se pse kjo urë s’duhet të jetë e hapur për qarkullim”, ka thënë ministri Krasniqi.
“Në njërën anë kemi akuzën për veprime pa koordinim, dhe unë besoj që pjesa e hapjes së Urës duhet të ketë koordinim. Për të gjithë ata që janë ithtarë të koordinimit me aleatët, ne po koordinohemi”, ka shtuar tutje ai./Express/