ZPS-ja i largon edhe 11 dëshmitarë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e 11 dëshmitarëve.
Gjithashtu, sipas njoftimit të 16 shtatorit 2024, thuhet se ZPS-ja do të paraqesë deklaratat e shtatë dëshmitarëve me shkrim në vend që ata të japin dëshmi në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi