Grenell: Mezi pres që Trumpi të fitojë dhe ta nxjerrim Thaçin nga burgu
Ish-emisari special presidencial për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ka punuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ka potencuar se problemi me liderin e LVV-së është se “është në mënyrë konstante antiamerikan”, shkruan gazeta Express.
“Ai është tani lideri i Kosovës që është kritikuar nga e gjithë bota, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Bideni, nga BE-ja, gjermanët e Franca”, ka thënë Grenelli në një intervistë.
Ai është pyetur edhe për prokurorin amerikan Jack Smith, që ka lëshuar fletë arrestimi për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe që më pas ka lënë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe është kthyer në SHBA për të ndjekur penalisht ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Grenelli ka thënë se fletarrestimi për Thaçin është lëshuar në kohën kur po bëhej progres sa i përket dialogut Kosovë - Serbi dhe kur ish-presidenti kosovar ishte ftuar në Washington. Grenelli thotë se Smithi e kishte targetuar Thaçin dhe sipas tij, fakti që ish-presidenti kosovar vazhdon të qëndrojë në burg është një mizori.
Ish-emisari amerikan, që është përfolur se mund të emërohet edhe sekretar i Shtetit në rast të një fitoreje të Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, ka thënë se s’ndihet mirë për faktin që Thaçi gjendet në burg, meqë arrestimi i tij ndodhi pasi u ftua që të udhëtojë drejt SHBA-së për Marrëveshjen e Washingtonit.
Grenelli ka thënë se e ndjenë që duhet të bëjë diçka për të nxjerrë nga burgu dhe thotë se mezi pret që Trumpi të fitojë, sepse do ta lirojnë ish-presidentin Hashim Thaçi nga burgu.
“Çfarë unë besoj, është që kur ne ishim duke bërë progres, Jack Smith ishte në Hagë atë kohë, targetoi presidentin Thaçi. Tani presidenti Thaçi vazhdon të jetë në burg dhe kjo është një mizori. Për mua është një mizori. S’ndihem mirë për një situatë të tillë, sepse ne e ftuam të vijë në SHBA të negociojë dhe ai u penalizua dhe shkoi në burg për këtë. Unë e ndiej që duhet të bëjë diçka që të nxjerr nga burgu dhe kam provuar dhe mezi pres që presidenti Trump të fitojë dhe sepse do ta nxjerrim Thaçin nga burgu”, tha Grenelli. /express