“Elektroserveri” s’i ka shpërndarë ende faturat e rrymës në Zubin Potok
Në komunën e Zubin Potokut ende nuk janë shpërndarë faturat e rrymës.
Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Ai tha se pasi të pajisen të gjithë qytetarët me orë digjitale, fillon faturimi.
“Akoma nuk kanë shpërndarë ndonjë faturë. Pas pajisjeve me orë digjitale do të pasojnë faturat. Janë duke e pajisur komunën gjithandej”, theksoi Zeqiri.
Kreu i Komunës njoftoi se faturat do të llogariten në bazë të harxhimeve.
“‘Elektroserveri’ e di se kur lëshohen faturat, ne s’kemi informatë. Në bazë të harxhimit të muajit kur kanë filluar orët do ta caktojnë edhe paushallin për muajin paraprak në bazë të harxhimeve sipas matjeve të orëve”, potencoi Zeqiri për Front Online.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022 për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).