KFOR-i rrit prezencën te Ura e Ibrit, shihen forca të shtuara të ushtarëve italianë
Foto: Laura Hasani

KFOR-i rrit prezencën te Ura e Ibrit, shihen forca të shtuara të ushtarëve italianë

Aktuale September 17, 2024 - 16:49

KFOR-i pasditen e së martës ka shtuar prezencën në veri të Mitrovicës.

Gazetarja e Telegrafit, e cila ndodhet në veri ka bërë të ditur se karabinierët italianë, janë pozicionuar në hyrje të Urës së Ibrit si dhe janë shtuar automjete të KFOR-it.

Ende nuk është bërë e ditur arsyeja e rritjes së numrit të ushtarëve mbi urë, por se javë më parë KFOR kishte njoftuar për veprime të ngjashme.

Image

KFOR ka thënë se forcat e shtuara janë si vazhdim i trajnimit të tyre periodik.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi qysh në mes të korrikut se synon ta hapë urën kryesore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse është rënë dakord që të hapet për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – njoftuan më 2 gusht se nuk e mbështesin hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve tash për tash, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

Image

Edhe emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pati thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet, mirëpo në koordinim me aleatët ndërkombëtar.

Ai këto komente i bëri pas takimit në Qeveri të Kosovës me zëvendëskryeministrin Bislimi me 6 shtator./Telegrafi/