Atiqi dënon sulmin me molotov në një shtëpi në veri, thotë se ka për qëllim frikësimin e qytetarëve
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ka reaguar pas sulmit të një shtëpie të ndërtuar në veri të Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës, në lagjen “Bergjani”.
Atiqi e ka dënuar ashpër këtë sulm, teksa tha se sulmi ka për qëllim t’i frikësojë qytetarët nga kthimi në shtëpitë e tyre.
“Mbrëmë pas mesnatës është sulmuar një nga shtëpitë e ndërtuara në veri të Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës, në lagjen ‘Bergjani’. Sulmi ka ndodhur rreth orës 00:30, ku fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka pas, përveç dëmeve materiale. E dënoj ashpër çdo sulm që ka për qëllim t’i frikësojë qytetarët nga kthimi në shtëpitë e tyre”, shkroi Atiqi në Facebook.
Më tej, Atiqi ka theksuar se së bashku me Policinë e Kosovës dhe Qeverinë do të punojnë në sigurinë dhe stabilitetin në veri të Mitrovicës.
“Ne, si komunë në bashkëpunim me Policinë dhe Qeverinë e Kosovës do të punojmë në sigurinë dhe stabilitetin në veri të vendit, që secili qytetar të ndihet i sigurt në pronat e tyre”, ka thënë ai.
Ndryshe, edhe kryeministri Albin Kurti ka folur për djegien e shtëpisë në lagjen “Bergjani” në Mitrovicën Veriore.
Ai ka thënë se kryesit e kësaj vepre do të ndiqen nga organet e drejtësisë.
“Ka deklaruar tashmë Policia e Kosovës, ne do të bëjmë sanimin e këtij dënimi, ndërkaq ata të cilët e bëjnë këtë krim me këtë koktej molotovi pa dyshim që do të ndiqen nga organet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, në një shtëpi në veri të Mitrovicës dyshohet se është hedhur koktej molotovi, ku si pasojë është përfshirë nga zjarri dera e hyrjes së shtëpisë.
Policia ka konfirmuar rastin, duke shtuar se patrulla policore kishte vërejtur të dalë tym nga një shtëpi.
E për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, ku ka thënë se ky akt është nxitje e mosdurimit etnik që nxitet nga Vuçiqi.