Kurti për masat e Vuçiqit ndaj Kosovës: Akt i dëshpërimit dhe pjesë e fushatës për konflikte të reja
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar sot rreth masave të Serbisë për Kosovën.
Kurti ka thënë se këto masa të propozuara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq po bëhen nga dëshpërimi.
“Këto kërkesat e tij masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend në Kosovë”, tha Kurti.
Kryeministri ka thënë se së pari duhet folur për tri kushtet që i ka propozuar Kurti, e që sipas tij janë paqësore e racionale.
“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë, që janë paqësore e racionale, e para është dorëzimi i Milan Radoiçiqit, nënshkrimi i marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së Bërnabiqit, që thotë se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën e as nuk e respekton integritetin territorial”, u shpreh Kurti.
Të premten, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq prezantoi pesë masa për Kosovën.
Sipas prezantimit, aty përfshihen kthimi në gjendjen e “para vendimeve të njëanshme të Kosovës; shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme speciale; përforcim të mëtejmë të institucioneve serbe në Kosovë; themelimin e një prokurorie të posaçme për ndjekjen penale të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonën e Kosovës; dhe vendimin për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”. /Telegrafi