Kërcënimi gjerman për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit, Osmani diskuton për këtë me ministren Lührmann
Presidentja Vjosa Osmani e priti sot në takim Ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Në takim “u diskutua për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të vendit tonë”, siç thuhet në komunikatën e Presidencës.
Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit, njoftoi Presidenca. Po ashtu, në takim thuhet se u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast “Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”, thuhet në komunikatë.
“Presidentja Osmani, në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shprehur rendësin e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet në komunikatë.
Gjermania ka kërkuar të gjendet një mundësi që Kosova t’i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.
Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit. Ai thotë se “nëse Kosova e bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.
Osmani ka konfirmuar së fundmi se ekziston kërcënimi që Kosova të largohet nga Procesi i Berlinit.