Konjufca: Kërcënimi i Vuçiqit s’na bën përshtypje
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se të gjitha kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë në kundërshtim me kushtetutën dhe diçka që nuk ekziston më.
Konjufca ka theksuar se substanca e strukturave paralele tashmë është hequr nga Kosova.
Sipas tij, procesi i largimit të strukturave paralele ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në veri.
“Vuçiqi po tenton mi ruajt ato struktura që nuk i ka më, faktikisht po kërcënon republikën e Kosovës. Por ky kërcënim nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë organet e sigurisë, institucionet politike, komunat që funksionojnë dhe është shanca e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marrë pjesë në procesin politik dhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik”, deklaroi Konjufca.
Ai shtoi se Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, duke theksuar se kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e saj.
Sa i përket takimit në Bruksel që flitet të mbahet shpejt mes Kosovës dhe Serbisë, Konjufca deklaroi se me këtë strukturë vlerëson se dialogu tashmë ka vdekur.
Kurse sa i përket ngritjes së aktakuzës për rastin në Banjskë, ai tha se aktakuza sa i përket një definicioni i çështjeve që i kanë ngritur ka goditur në shenjë.
Sipas tij, synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjese të vendit dhe se e ka pasur mbështetjen e plotë të Serbisë dhe tentimi për shkatërrimin e rendit kushtetues dhe sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës dhe kriminaliteti financiar. /rtk