Ministri serb: Disa nga masat për serbët në Kosovë do të nisin të zbatohen në nëntor
Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se disa nga masat e miratuara nga Qeveria serbe më 14 shtator, që synojnë të ndihmojnë serbët në Kosovë, do të nisin të zbatohen në fillim të nëntorit.
“Ne kemi kërkesa të qarta që ia kemi adresuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë të bazuara dhe të shpjeguara, që kërkojnë kthimin në ‘status quo-në’, para se [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti të prishte dhe të rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit duke zbatuar masat e tij të njëanshme”, tha ai, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS).
Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë vijnë pasi autoritetet në Kosovë javëve të fundit kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, të cilat i konsiderojnë jokushtetuese dhe të paligjshme.
Ai tha se paketa përfshin 20.000 dinarë ndihmë (rreth 170 euro) për 5.000 persona, familje në Kosovë në kushte të rënda ekonomike, dhe 60.000 dinarë (rreth 500 euro) për 300 persona të papunë.
Ai tha se të gjithë nxënësit serbë në Kosovë do të pranojnë tekste shkollore pa pagesë dhe do t’u jepen edhe gjëra ushqimore.
“Ne po ndërtojmë dy çerdhe të reja në Kosovë, po rindërtojmë dhe po rregullojmë një sërë çerdhesh, salla sportesh, disa fusha të sportit dhe kjo nuk është e tëra”, tha Staroviq.
Sipas tij, disa nga masat do të nisin të zbatohen në fillim të nëntorit, disa në dhjetor, ndërsa disa të tjera do të duhet të presin deri më 1 janar 2025.
Staroviq tha se paketa e masave përfshin edhe punësimin e 100 punëtorëve shëndetësorë, investime shtesë në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut dhe subvencione për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për fermerët.
Beogradi i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.
Paketa e masave, që Qeveria serbe miratoi më 14 shtator ka dimension politikë e juridik, por edhe socio-ekonomik, tha Staroviq për RTS-në, duke shtuar se një sërë departamentesh kanë pranuar detyra të qarta me masa konkrete që përfshin paketa socio-ekonomike.
Ai shtoi se zyra mobile do të vendosen edhe në pika të veçanta shumë afër kufirit të Serbisë me Kosovën. Këto zyra, sipas ministrit serb, do të merren me çështje administrative që deri më tani ishin kryer në qendrat për vetëqeverisje lokale.
Vendimi i Qeverisë serbe u mor një ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i bëri publike masat.
Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, deklaroi se vendimi i ekzekutivit ka të bëjë me pesë zona të veprimit që janë prezantuar nga Vuçiqi.
Këto masa, siç është thënë përfshijnë, kthimin e gjendjes para vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme sociale, përforcimin e mëtejmë i institucioneve serbe në Kosovë dhe që të mos lejohet mbyllja e tyre. /REL