Në Holandë po mbahet takimi rajonal për personat e zhdukur
Gjatë javës, në Mbretërinë e Holandës, në një bashkë-organizim nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur është mbajtur takimi i radhës i Grupit Rajonal për Persona të Zhdukur, që funksionon sipas Planit Kornizë Rajonal në zbatim të Deklaratës për Persona të Zhdukur nga Samiti i Londrës (2018), në kuadër të Procesit të Berlinit.
Krahas diskutimeve dhe përgatitjeve për takimin e radhës në kuadër të procesit të Berlinit, sipas propozimit dhe kërkesës paraprake së Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), Andin Hoti, të pranishmit gjatë takimit kanë prezantuar edhe angazhimin rajonal në përmbushje të objektivave të Planit Kornizë me theks të veçantë adresimin dhe punën në terren.
Përderisa në filim të takimit, Drejtoresha e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Kathryne Bomberger, theksoi se puna e Grupit Rajonal është thelbësore për të siguruar përgjigje për ata që janë ende të zhdukur. “Kjo çështje ka të bëjë me sigurimin e drejtësisë për familjet e të zhdukurve – njohjen e vuajtjeve që kanë kaluar, sigurimin e llogaridhënies dhe rivendosjen e dinjitetit për viktimat, dhe se zgjidhja e këtyre rasteve nuk është vetëm një proces teknik, por është detyrim moral dhe ligjor”.
Ndërsa, Udhëheqësi i Njësisë së KQPZh-së, Kushtrim Gara, në cilësinë edhe të bashkë-kryesuesit të këtij takimi rajonal, ritheksoi edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, së bashku me shoqatat e familjarëve dhe institucionet tjera shtetërore, për të vërtetën, intensifikimin e bashkëpunimit dhe dinamizimin e procesit.
“Shteti ynë, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e kësaj çështje, plage të hapur e shoqërisë sonë dhe tema më prioritare e të gjitha agjendave. Që nga koha kur jemi bashkuar kësaj nisme, të konkretizuar me marrëveshjet në vitin 2018, ne kemi mbështetur e vazhdojmë të mbështesim iniciativat e tilla me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, por gjithnjë me kërkesat tona konsistente qe ky bashkëpunim te rezultoi me i efektshëm dhe te sjellë përgjigje për familjarët që vazhdojnë te jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes”.
Duke vlerësuar angazhimin dhe të arriturat e deritanishme, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtare, ai shtoi “ne kemi nevojë të dimë te vërtetën edhe për 1595 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë dhe për më shumë se 11000 personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga luftërat në rajon. Mohimi i saj, apo përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetën, është krim”.