Në Holandë mbahet takimi rajonal për personat e zhdukur, pjesëmarrëse edhe Kosova
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Holandë, në një bashkëorganizim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është mbajtur takimi i Grupit Rajonal për Personat e Zhdukur.
Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ky grup funksionon sipas Planit Kornizë Rajonal në zbatim të Deklaratës për Personat e Zhdukur nga Samiti i Londrës i vitit 2018, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Bëhet e ditur se krahas diskutimeve dhe përgatitjeve për takimin e radhës në kuadër të Procesit ët Berlinit, sipas kërkesës paraprake të kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, pjesëmarrësit kanë prezantuar edhe angazhimin rajonal në përmbushje t objektivave të Planit Kornizë, me theks, adresimin dhe punën në terren.
Drejtoresha e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Kathryne Bomberger, theksoi se puna e Grupit Rajonal është thelbësore për të siguruar përgjigje për ata që janë ende të zhdukur.
“Kjo çështje ka të bëjë me sigurimin e drejtësisë për familjet e të zhdukurve – njohjen e vuajtjeve që kanë kaluar, sigurimin e llogaridhënies dhe rivendosjen e dinjitetit për viktimat, dhe se zgjidhja e këtyre rasteve nuk është vetëm një proces teknik, por është detyrim moral dhe ligjor”, tha Bomberger.
Ndërsa, udhëheqësi i njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se Kosova mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur, që sipas tij, është plagë e hapur e shoqërisë kosovare.
“Shteti ynë, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e kësaj çështje, plage të hapur e shoqërisë sonë dhe tema më prioritare e të gjitha agjendave. Që nga koha kur jemi bashkuar kësaj nisme, të konkretizuar me marrëveshjet në vitin 2018, ne kemi mbështetur e vazhdojmë të mbështesim iniciativat e tilla me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, por gjithnjë me kërkesat tona konsistente qe ky bashkëpunim te rezultoi me i efektshëm dhe te sjellë përgjigje për familjarët që vazhdojnë te jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes”, tha ai, transmeton klankosova.
Tutje, Gara tha se Kosova ka nevojë ta di të vërtetën edhe për 1 mijë e 595 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë.