Kërkohet qasja më e hershme në mjetet kontributdhënëse, kritikohet Qeveria
Për vitet që dhanë kontribut si qytetarë të Republikës së Kosovës, mjetet i marrin vetëm pasi të kenë arritur një moshë të caktuar.
Sipas Ligjit për Fondet Pensionale, kriteri kryesor për qasjen në kontribute është mosha 65 vjeç, që është mosha e pensionimit.
Por kërkesa për qasje më të hershme në këto mjete ka qenë e kahershme e për disa edhe e nevojshme.
“Gjithsesi, ka kohë që e kërkojmë këtë por qeveritarët nuk po e përfillin dhe ka mbetur puna kështu. Si pensionist, edhe pensionistët e tjerë kërkojmë që kjo të plotësohet sepse ka pensionistë që nuk e arrijnë fare trustin”, ka thënë Mustaf Rushiti, pensionist.
Televizioni ka pyetur edhe disa nga anëtarët e Komisionit për Legjislacion. Derisa Kryetari i saj Adnan Rrustemi nuk e ka parë të rrugës të prononcohet, anëtarë të tjerë kanë qenë të paqasshëm në telefon.
Njësoj ka vepruar edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.
Kërkesën për ndryshim-plotësimin e ligjit e kishte paraqitur disa herë në Kuvend, deputeti Bekim Haxhiu i cili përgjegjësinë ia hedh qeverisë në pushtet.
“Nevoja është për ta ndërruar projektligjin. Këta kanë premtu dhe kanë mashtru. Reformën pensionale të cilën e ka premtuar kryeministri, Hekruan Murati nuk e ka sjell. Kishte premtuar se do sjelli reformën pensionale dhe jemi në fund të mandatit. Nuk ka reformë pensionale, ishe mashtrim sikurse shumë mashtrime të tjera të kësaj qeverie…Kandidati ynë për kryeministër, Bedri Hamza po përgatiet me ekipën e tij për premtimet që do japi. Besoj shumë se një nga shtyllat do jetë reforma pensionale. Ky projektligj për trustin ka qenë i nevojshëm qysh pas lufte…”,ka deklaruar Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së.
E plotësim-ndryshimi i këtij ligji sipas tij, mbetet i nevojshëm.
“Ligji për trustin duhet patjetër të ndryshojë, duhet të ketë një reformë pensionale për të ndryshuar modelin aktual të pensionit dhe trustit, të ketë një transformim të fondit pensional të Kosovës që do përmbushte kërkesat e qytetarëve, ky model të ndryshohet nga trusti tek modeli ku gjenerata paguan për gjeneratën. Këto janë kursime që ata do duheshin t’i shfrytëzonin pas pensionit,, por në raste të krizave ekonomike, nevojave shëndetësore, do duhej t’iu mundësohej t’i tërhiqnin këto mjete. Do e diskutojmë këtë javë se sa janë të gatshëm për një reformë më të shpejtë në këtë legjislaturë për disa ndryshime tek projektligji për trustin, tërheqjen e 30 përqindshit dhe për mundësinë që në nevoja, qytetarët t’i tërheqin këto mjete por me besimin e plotë që në legjislaturën e ardhshme, të bëhej një reformë…”, ka thënë tutje deputeti Haxhiu.
Televizioni ka pyetur edhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës lidhur me kërkesat për qasje të mëhershme tek mjetet e trustit.
Sipas këtij institucioni, veprimet i ndërmarrin siç e parasheh ligji aktual dhe nuk e mohojnë mundësinë që kanë pasur kërkesa për tërheqje të parakohshme për shembull në raste të nevojave shëndetësore por që të njëjtat janë refuzuar vazhdimisht.
Trusti vetëm e zbaton legjislacionin në fuqi, edhe për çështjen e tërheqjes së kursimeve pensionale nga kontribuuesit, para ose pas pensionimit. Andaj ne nuk mund të deklarohemi për çështje që janë jashtë kompetencave tona; meqë çështja e ndryshimit të legjislacionit dhe rregulloreve e udhëzimeve përkatëse është jashtë fushëveprimit tonë, sikurse mund ta dini. Ne nuk kemi mbajtur një regjistër të kërkesave për tërheqje të parakohshme, ngase ato janë thjesht njoftime për kontribuuesit, të cilat nuk regjistrohen. Kuptohet se të gjitha kërkesat që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Trusti i ka refuzuar vazhdimisht -Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.
Më 23 qershor të vitit 2022, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi nismën e PDK-së për tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Trusti Pensional.
Nën arsyetimin e gjendjes ekonomike në vend në dhjetor të po atij viti, partitë opozitare patën kërkuar tërheqjen e mjeteve të trustit deri në 30 për qind nga ana e qytetarëve. /dukagjini