Brestovci paralajmëron rikthimin e gjendjes së mjerueshme me mbeturina në Kryeqytet, për këtë fajëson PDK-në
Drejtori i Shërbimeve Publike në Kryeqytet, Bekim Brestovci, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për, siç tha ai, kthim në gjendjen e mjerueshme të qytetit në raport me pastrimin.
Përmes një reagimi në Facebook, Brestovci tha se të premten (13 shtator 2024), me propozimin e Leotrim Retkoceri, shef i grupit të asamblistëve nga radhët e PDK, u shfuqizua Paragrafi 3 i Nenit 16 të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, paragraf ky i cili, sipas shefit të Shërbimeve Publike, Komunës së Prishtinës i jepte mundësinë që në rastet kur ndërmarrja “Pastrimi” nuk është në mundësi ta kryejë shërbimin e kontraktuar, ta kontraktojë ndonjë operator privat për ta ndihmuar ndërmarrjen në kryerjen e shërbimit ndaj qytetarëve të Kryeqytetit.
Ai publikoi edhe disa fotografi të rrugëve të Prishtinës për çka tha se i takojnë kohës kur Drejtorinë e Shërbimeve Publike e udhëhiqte PDK-ja.
“Qytetarët e kryeqytetit e kanë në mendje se në çfarë gjendje të mjerueshme ishte kryeqyteti, deri në momentin kur për kryerjen e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave u angazhua një operator privat, për grumbullimin e mbeturinave nga amvisëria e së fundmi edhe një operator për grumbullimin e mbeturinave vëllimore dhe një për grumbullimin e atyre ndërtimore”.
“Tani, kur Kryeqyteti po bëhej për çdo ditë e më i pastër e kur Drejtoria e Shërbimeve Publike po e avanconte tutje strategjinë për një Prishtinë pa mbeturina dhe shumë të pastër, Leotrim Retkoceri nga PDK, solli në Kuvendin Komunal propozimin për heqjen e një paragrafi i cili nëse merr ligjshmërinë nga Ministria e Pushtetit Lokal, pamundëson çdo përmirësim të gjendjes në menaxhimin e mbeturinave dhe e kthen Prishtinën prapë në kryeqytetin më të papastër në rajon”, deklaroi Brestovci.
Ai tha se Prishtina sot është “shumë më e pastër” se sa që ishte deri në shkurt të këtij viti “kur PDK e Leotrimit udhëhiqte me Drejtorinë e Shërbimeve Publike”.
Megjithatë, ai thotë se Prishtina e pastër mund të mos jetë më në këtë gjendje, dhe fajtor për këtë, ai e bën Retkocerin dhe partinë e tij, PDK.
“Ne jemi të përkushtuar t’i dalim zot çdo sfide dhe edhe këtë situatë do e përballojmë, por misteri qëllimkeq i shfuqizimit të paragrafit 3 të Nenit 16, të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave do mbetet gjatë në kujtesën e qytetarëve të Kryeqytetit si një akti i turpshëm i propozuesit, Leotrim Retkoceri”.
Kujtojmë se rreth 7 muaj më parë, ishte pikërisht shkarkimi i Drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilir Musliu i PDK-së, që çoi në prishjen e koalicionit LDK-PDK në kryeqytet.