Tahiri në SHBA, takohet me kongresistë e senatorë
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se gjatë qëndrimit në Huston të Teksasit të Shteteve të Bashkuara, është takuar me kryetarin e Kongresit Amerikan, Mike Johnson dhe pesë kongresistë.
Tahiri bëri të ditur se në mesin e kongresistëve që takoi ishte Randy Weber, Dan Crenshaw, Morgan Luttrell, Brian Babin dhe Kevin Brady, të cilët tha se i falënderoi për mbështetjen që ShBA-të i dhanë Kosovës në të gjitha etapat e saj.
“Në të gjitha takimet theksova se: Kosova ka një të ardhme të ndritur, dhe së bashku me miqtë tanë amerikanë me mbështetjen e NATO-s, do të vazhdojmë të ndërtojmë një rrugë drejt prosperitetit, sigurisë dhe suksesit të përbashkët”.
“Theksova se si vend angazhohemi në forcimin e miqësisë dhe partneritetin në mes të dy shteteve dhe kërkova të kemi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës më NATO”, shkroi Tahiri.
Më tej, Tahiri gjatë ditës së sotme u takua edhe me anëtarin e Senatit Amerikan nga Teksasi, Ted Cruz, Senatorin dhe kryetarin për Arsim në Shtetin e Teksasit, Brendon Creighton si dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton.
“Në këto takime dhe diskutimet e shumta, është e qartë se jo vetëm ndjenja e mirë, por edhe energjia për të mbështetur Kosovën janë prezente të figura të larta të SHBA-ve. Kosova është e bekuar që e ka fituar lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me ndihmën e Amerikës”.
“Edhe pse jemi një vend i vogël, Kosova është e njohur dhe e dashur për Amerikën. Këtë ndjesi dhe këtë marrëdhënie duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë me shumë kujdes”, shkroi Tahiri.