APK-ja ende pa vendim për Çekun, i cili ia ndau 257 mijë euro organizatës që dikur e drejtonte
Foto: Laura Hasani

APK-ja ende pa vendim për Çekun, i cili ia ndau 257 mijë euro organizatës që dikur e drejtonte

Aktuale September 14, 2024 - 08:28

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin ku Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau 257 mijë euro për organizatën që dikur e drejtonte vetë kreu i kësaj ministrie, Hajrullah Çeku.

Lista preliminare e e përfituesve në thirrjen publike për “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024” po vazhdon të shqyrtohet nga kjo agjenci. Rasti ka përfunduar në APK nga vetë Ministri Hajrullah Çeku pas reagimeve të shumta.

“Ju njoftojmë që APK ende nuk ka nxerr vendimin për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Express.

Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” renditet e treta në listën preliminare të publikuar në fund të qershorit nga MKRS’ja për thirrjen publike “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024.

Për këtë vit, Ministria ka paraparë të ndajë për këtë organizatë 82 mijë euro, vitin e ardhshëm 85 mijë, derisa për vitin 2025 do t’i ndajë 90 mijë euro. Në total, organizatën ku punonte dikur, Çeku do ta mbështes me 257 mijë euro.

Se Çeku ka qenë i angazhuar në këtë organizatë figuron edhe në biografinë e tij.

“Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe”, thuhet në biografinë e publikuar në blogun e tij.

Ndërkohë, në sajtin e kësaj organizate figuron se Çeku ka qenë drejtor deri në fillim të vitit 2017, kur e kishte marrë pozitën kryetari i ri.

“Sipas vendimit për emërimin e drejtorit të ri ekzekutiv, Edon Mullafetahu pozitën e drejtorit do ta marrë nga 1 janari i vitit 2017, ndërsa muajt e mbetur do të jenë periudhë transitore për bartjen e përgjegjësive. Drejtori ekzekutiv aktual, Hajrulla Çeku, pas këtij ndryshimi do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit të organizatës.

Në këtë OJQ ka qenë i angazhuar edhe vëllai i Çekut, Fati. Kjo i figuron edhe në profilin e tij në Facebook.

Kur ishte publikuar lista, Express kishte provuar të kontaktojë Çekun për ta pyetur se si u vendos të përkrahej financiarisht organizata ku ai kishte punuar, mirëpo i njëjti nuk ishte përgjigjur.

Përveç OJQ “Ec Ma Ndryshe”, Vëmendje kishte marrë edhe organizata tjetër që ndodhet e para në listë, Autostrada Biennale. Kjo pasi bashkëdrejtohet Vatra Abrashi, që sipas raportimeve të mediave, është motra e deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashit.

Titulli i projekt propozimit të kësaj organizate ka qenë “Programi vjetor i institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Biennale” në hapësirat për edukim, prodhim artistik dhe ekspozitë”.

Për sivjet, kjo organizatë është paraparë të mbështetet me 80 mijë euro, vitin e ardhshëm me 85 mijë, derisa për vitin 2026 me 90 mijë euro.

Në gusht të vitit të kaluar, Ministri Çeku bashkë me Kryeministrin Albin Kurti e kishin vizituar ekspozitën e edicionit të katërt nga Autostrada Biennale.

“Ishte kënaqësi ta mirëpresim në vizitë Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku, Ministren Artane Rizvanolli dhe pjesëtarët e tjerë nga kabineti. Ekspozita e edicionit të katërt të Autostrada Biennale titulluar “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” kuruar nga Joanna Ëarsza dhe Övül Ö. Durmuëoëlu është e hapur deri më 9 shtator, në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë”, kishte njoftuar Vatra Abrashi.

Image