VV-ja rikthen fjalimin e vjetër të Kurtit për “guximin”, të shoqëruar me pamje nga veriu i sotëm
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një fjalim të vitit 2015 të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti, kur ai fliste për guximin.
VV-ja, fjalimin e Kurtit të vitit 2015 e ka shoqëruar me pamje të fundit të veriut të vendit.
“Ndryshimet që ne i duam janë ndryshime shumë të mëdha. Prandaj, këtyre ndryshimeve shumë të mëdha, iu nevojitet një guxim shumë i madh, iu nevojitet shumë guxim i të gjithë neve dhe secilit prej nesh”.
“Guximi, para se gjithash e mbi të gjitha, e mundëson dhe e realizon fitoren. Kur njerëzve iu humb shpresa, nuk duhet me ua kthy shpresën. Kur njerëzve iu humb shpresa, njerëzve duhet me ua kthy guximin. Se kur e ke guximin, të vjen shpresa, a kur nuk e ke guximin, shpresa është iluzion”, thoshte Kurti në fjalimin e tij të asaj kohe, teksa i njëjti shoqërohej me pamje nga aksionet e vizitat e tij në veri, tashmë në cilësinë e kryeministrit.
Në atë fjalim, Kurti pati thënë se “guximi që nevojitet tash, si asnjëherë tjetër, është guxim që vlen për individët shqiptarë e po ashtu për popullin”.