Vuçiqi mohon të vërtetën: Sulmi në Banjskë nuk është terrorizëm
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përgjatë adresimit të sotëm, është pyetur nga gazetarët edhe për aktakuzën e autoriteteve të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka thënë se organet serbe po e kryejnë hetimin e tyre, duke shtuar se EULEX-i nuk ia ka dorëzuar Beogradit të dhënat e kërkuara.
Vuçiq gjithashtu theksoi se për Serbinë rasti Banjska nuk është terrorizëm.
“Organet tona, që kanë të bëjnë me Banjskën, po zhvillojnë hetimet e tyre. Kjo për ne, sigurisht, nuk është terrorizëm… por nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, ka thënë Vuçiq.
Në atë sulm të kryer nga një grup i armatosur serb, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.