Rrusta e PSD-së: Kurti e ka bërë veriun të duket si problem i bandave kriminale
Teutë Rrusta, anëtare e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka kritikuar qasjen dhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri të Kosovës, duke e akuzuar atë për shndërrimin e kësaj pjese të vendit në një problem të lidhur kryesisht me bandat kriminale dhe mungesën e legalitetit.
Në TV Dukagjini, Rrusta deklaroi se veprimet e qeverisë në veri, kanë bërë të duket se problemi atje është vetëm kriminal, ndërkohë që, sipas saj, rrënjët e problemit janë politike.
“Edhe dalim dhe shohim prej lartë çfarë ka ndërmarrë kryeministri me krejt këto veprime është e ka bërë veriun me u duke problem i bandave kriminale, problem i mungese së legalitetit, e ne krejt e dimë që problemi… se kudo ku ka paqartësi politike lulëzon edhe kriminaliteti, edhe anemia ligjore, nuk dihet fort shteti i kujt është”, ka thënë Rrusta.
Rrusta gjithashtu theksoi se problemi në veri është i natyrës politike dhe se dialogu me Serbinë është esencial për të krijuar kushte për zgjidhjen e këtij problemi.
“Nëse ti ke vendosen me shku në dialog edhe e ke zgjedh atë rrugë, kjo në teren duhet si një përgjigje tjetër e dialogut. Është pak e pandershme me vepru me të dy kartat, se janë të ndryshme, janë kundërthënëse. Ne po pajtohemi të gjithë se veriu është problem politike. Dhe dialogu po ndodh për më kriju kushte që këto probleme për me u zgjidh.
Elementi i parë i demokracisë nuk është sovraniteti, elementi i parë është përfaqësimi politike. E atje serbët nuk kanë përfaqësim politik”, ka shtuar Rrusta.