Serbia paraqet shtatë kërkesa lidhur me Kosovën
Serbia po nis një iniciativë të re për Kosovën, duke kërkuar rikthimin në gjendjen para braktisjes së institucioneve në veri të Kosovës, si kusht kyç për avancimin në dialogun me Kosovën.
Në masat e dorëzuara gazetarëve para fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet se Serbia paraqet shtatë kërkesa që do t’u dorëzohen përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Serbia, siç thuhet në dokument, kërkon “heqjen e pasojave kyçe të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti.
Siç u tha, ky është një "parakusht i domosdoshëm për përparim domethënës" në procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.
Beogradi, siç u tha, do të nisë një "fushatë diplomatike globale" për të përmbushur kërkesat.
Ndër kërkesat kryesore, siç thuhet në dokumentin për masat ndaj Kosovës, janë shpallja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, rikthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Veri, rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme, si dhe mundësimi i transaksioneve të pagesave dhe shërbimeve postare.
Përveç kësaj, Serbia planifikon të marrë masa të veçanta. Është njoftuar se Kuvendi i Republikës së Serbisë do të miratojë brenda 45 ditësh një ligj që do të shpallë Kosovën si një rajon të mbrojtjes sociale të veçantë. Ky ligj do të rregullojë mbështetje financiare për të papunët, si dhe do të rregullon tregun e pasurive të paluajtshme, me fokus të veçantë në ata që jetojnë realisht në Kosovë.
Institucionet serbe në Kosovë nuk do të mbyllen ose shuhen. Në vend të kësaj, do të hapet një zyrë në vendet Rudnicë dhe Ribariq afër kufirit, për të mundësuar që serbët nga veriu i Kosovës të kenë qasje në të drejtat e tyre në fushën e mbrojtjes sociale dhe shërbimeve publike thelbësore.
Gjithashtu, Kuvendi i Serbisë do të miratojë brenda 45 ditësh një ligj për formimin e një prokurorie të veçantë, e cila do të jetë e ngarkuar për të ndjekur penalisht shkeljet e të drejtave të njeriut, uzurpimin e pasurisë në Kosovë dhe rrezikimin e integritetit fizik të qytetarëve të Serbisë në Kosovë. Me vendimin e Kuvendit, do të konfirmohet paligjshmëria e të gjitha institucioneve të formuara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe të gjithë aktet e tyre do të shpallen të pavlefshme nga pikëpamja ligjore.
Gjithashtu kërkohet edhe zbatimi i menjëhershëm i garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimi i menjëhershëm i "të gjithë të burgosurve politikë që u arrestuan për shkak të aktivizmit të tyre demokratik, qytetar apo politik, veçanërisht ata që janë arrestuar për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore". /rtk