Zv. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Ruge viziton Malin e Zi
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm në detyrë i NATO-s, Boris Ruge vizitoi Malin e Zi, ku u takua me presidentin Jakov Milatoviq, kryeministrin Milojko Spajiq, zëvendëskryeministrin Ervin Ibrahimoviç, ministrin e Mbrojtjes Dragan Krapoviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm në detyrë përshëndeti kontributet e Malit të Zi në përpjekjet e gjata të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Këto përfshijnë rolin e saj në paketën e ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse për Bosnjë dhe Hercegovinën; misionin paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë; dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Sipas njoftimit, ambasadori Ruge theksoi gjithashtu ndikimin e dezinformimit dhe përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për ta kundërshtuar atë.
“Ambasadori Ruge nënvizoi se pranimi i Malit të Zi në NATO në 2017 ka forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Nga kjo përfitojnë jo vetëm populli i Malit të Zi, por edhe rajoni dhe gjithë Aleanca, dhe ka qenë një hap vendimtar në lëvizjen e vendit drejt integrimit të plotë evropian dhe euroatlantik”, vazhdon njoftimi.
Boris Ruge u emërua ushtrues detyre i Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm më 10 shtator 2024, pas largimit të Mircea Geoanë.