Çka thuhet në aktakuzën për Banjskën
Aktakuza që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë, i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Sipas dokumentit prej 158 faqesh që siguroi Radio Evropa e Lirë, Millan Radoiçiq ngarkohet edhe me lehtësim dhe financim të kryerjes së terrorizmit dhe shpëlarje të parave, ndërsa Radulle Steviq dhe personi juridik RAD D.O.O. vetëm me shpëlarje të parave.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator, gati një vit pas sulmit në Banjskë.
Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. /REL