Kurti: Thirrja për subvencionim të familjeve për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje sapo u hap
Foto: Laura Hasani

Kurti: Thirrja për subvencionim të familjeve për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje sapo u hap

Aktuale September 12, 2024 - 19:56

Kryeministri i vendit Albin Kurti njofton për hapjen e thirrjes për subvencionim të familjeve për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Kryeministri Kurti ka dhënë detaje se çka përfshihet në subvencionim.

Postimi i plotë:

Thirrja e re për subvencionim të familjeve për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje, u hap sot.

Deri tash kemi përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro, duke i ndihmuar në uljen e kostos së pagesës së energjisë, por edhe kushteve më të mira në përballimin e sezonit të dimrit që po afron. Të njëjtën, po synojmë ta ofrojmë edhe për rreth 10,000 familje të tjera të cilat duke aplikuar mund t'i shtohen kësaj kategorie.

Thirrja e sotme parasheh mbështetje për:

Pompë termike, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 30% e vlerës investive, apo deri në 2,000.00€;

Kondicioner/ klimë efiçiente, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive apo deri në 400.00€, kurse për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) vlera e subvencionimit është 60% e vlerës investive apo deri në 550.00€.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), për të cilën vlera e subvencionit është 70% e vlerës investive dhe deri në 1,200.00€;

Stufa individuale me biomasë, për të cilën vlera e subvencionimit për një pajisje është 70% e vlerës investive dhe deri në 435.00€, kurse për prindërit vetushqyes dhe për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) vlera e subvencionimit është 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00€.

Aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova dhe është i hapur për të gjithë qytetarët pa dallim: https://ekosova.rks-gov.net/472

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/.../Thirrje-publike-Investimi-ne...

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: [email protected] apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.