Kurti: Përdhunimi është mjeti që përdori Serbia në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se krahas krimeve të kryera nga Serbia, “mjet” tjetër e ka përdorur edhe përdhunimin, në mënyrë që të lërë pasoja të përhershme në shumë familje.
Në diskutimin e organizuar nga “Medica Gjakova” për reflektimet kritike mbi hulumtimin mbi përdhunimet e luftës në Kosovë, Kurti ka deklaruar se nuk duhet të heshtim përballë këtij krimi. Andaj, ka thënë se në përpjekjet për t’i adresuar plagët e së kaluarës, është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale.
“Luftërat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi lanë pasoja të përhershme në shumë familje. Kjo ka qenë edhe njëra ndër strategjitë e Serbisë. Në heshtje e përjashtim shoqëror, të mbijetuarat e këtyre krimeve u bën forca lëvizëse për njohjen dhe dënimin e këtij krimi të luftës. Në Kosovë është përdorur si mjet luftë nga Serbia, mjet që ka lënë pasoja të gjerë tek individi, familja, mbarë populli e shoqëria. Andaj, duhet të punojmë që ta ndalim efektin shkatërrues të këtij krimi. Në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës, po hedhim bashkë hapa përpara. Për herë të para, është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon përkushtim nga të gjithë ne. Faleminderit ‘Medica Gjakova’ dhe ‘Medica Mondiale’ për këtë studim kaq të vlefshëm mbi pasojat. Bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria”, deklaroi Kurti.
“Medica Gjakova” ka publikuar raportin për pasojat afatgjata të përdhunimeve të luftës në Kosovë, “Unë nuk kam faj për atë që më ka ndodhur”.
Bazuar në dëshmitë e 200 të mbijetuarve të dhunës së seksualizuar, prej tyre 191 gra dhe 9 burra, hulumtimi është fokusuar në pasojat psikologjike, fizike dhe sociale të viktimave të dhunës së seksualizuar.
Hulumtimi ka zbuluar se 86% e të mbijetuarve kanë stres posttraumatik, ose të thjeshtë ose komplekse, 96% e tyre kanë nivele të larta ankthi e mbi 70% kanë deklaruar se pas luftës jeta e tyre nuk ia vlente.
Dea Fetiu, e cila prezantoi disa nga rezultatet kryesore të studimit, gjysma e pjesëmarrësve të studimit e kanë përshkruar gjendjen e tyre shëndetësore si të shumë të dobët.
Sipas saj, hulumtimi e përmbush një boshllëk kritik hulumtues, 25 vjet pas luftës, kur ende ka pak të dhëna për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Tash pas 25 vjet pas lufte ka shumë pak të dhëna, prandaj ‘Medica Mondiale’ dhe ‘Medica Gjakova’ ka bërë këtë studim në dëshmitë e mbi 200 të mbijetuarave, 191 gra dhe 9 burra. Të gjithë kanë qenë viktima të dhunës së seksualizuar gjatë luftës, të gjithë klientë të ‘Medica Gjakova’. Ky studim është përqendruar në pasojat fizike, psikologjike dje sociale. Të mbijetuarit përballen me sida të ndryshme. Hulumtimi zbuloi se 73% e pjesëmarrësve në studim kualifikohen për diagnozë të PTSD komplekse, me 13% të tjerë që kualifikohen për diagnozë PTSD. 95.5% e pjesëmarrësve në studim i plotësojnë kriteret për depresion klinik. 59 pjesëmarrës (29.5%) raportuan se kishin ide vetëvrasëse brenda javës së kaluar dhe 101 (50.5%) raportuan se kishin mendime për vetëlëndim që nga lufta, dhe 142 (71%) që mendonin se jeta nuk ia vlente të jetohej më. 96% e pjesëmarrësve raportuan nivele të larta ankthi”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në studim raportuan se e perceptojnë shëndetin e tyre si të dobët 94 të anketuar, 47.5%), ndërsa vetëm 13 pjesëmarrës (6.5%) e konsiderojnë shëndetin e tyre të mirë.
“Më shumë se tre të katërtat e pjesëmarrësve raportojnë se vuajnë nga dhimbjet e kokës, lodhja, dhimbjet e qafës, dhe/ose dhimbjet e shpinës”, ka thënë ajo.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, ka thekuar se hulumtimi fokusohet, përveç në pasojat afatgjata, edhe në strategjitë e tyre të ballafaqimit, përvojën e tyre dhe marrëdhëniet me mjediset e tyre të afërta, si dhe pranimin shoqëror dhe rëndësinë e mbështetjes së ofruar nga “Medica Gjakova”.
Sada ka thënë se të mbijetuarit nuk jetojnë thjesht me traumën e asaj që u është bërë gjatë luftës, por edhe me stigmatizim. Sipas saj, ky raport është i rëndësishëm, jo vetëm për traumën, por edhe stigmën që i rrethon të mbijetuarit.